Connect with us

Lajme

Të premten i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta

Published

on

te-premten-i-nenshtrohen-testit-te-arritshmerise-mbi-26-mije-nxenes-te-klasave-te-nenta

Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta të premten i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë.

Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta të premten do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë, ku me pikët e arritura do të kenë mundësi të orientohen për në shkollat e mesme.

Testi do të ketë 100 pyetje nga lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë dhe pyetje nga shkencat shoqërore e ato natyrore, ndërsa edhe këtë herë nuk do të ketë kriter kalimi por që pikët e mbledhura u shërbejnë nxënësve që të orientohen për në shkollimin e mesëm.

Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi, thotë se gjithçka është gati për mbajtjen e këtij testimi, derisa thekson se edhe rregullat për mbrojtje nga COVID-19 do të respektohen.

“Këtë vit janë diku 26 mijë semimaturantë, testi është sikurse vitet paraprake, vitin e kaluar nuk është mbajtur testi siç e dini. Testi është me pyetje me alternativa, janë 100 pyetje nga lëndët që mësohen në shkollën e mesme të ulët, klasa e gjashtë deri në nëntë… Testi i arritshmërisë nuk është test i bazuar në kriter, do të thotë nuk ka kriter kalimi. Nxënësit i marrin pikët që i fitojnë në test, për çdo lëndë i marrin pikët ashtu siç i kanë dhe nuk ka kriter kalimi… Testi është i përbërë prej nëntë lëndëve gjithsej, janë gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze një grup i lëndëve, histori dhe gjeografi, matematikë dhe informatikë dhe shkenca natyrore. Do të thotë këto katër grupe janë nga 25 pyetje secila”, thotë ai.

Testi i arritshmërisë do të mbahet në 155 qendra testimi në nivel vendi, ku për monitorimin e mbarëvajtjes së këtij testi do të jenë të angazhuar mbi 2 mijë administratorë.

Për shkak të mbrojtjes nga përhapja e pandemisë COVID-19, Elezi potencon se në klasa do të jenë vetëm nga 15 nxënës.

Ai shprehet se kanë ndërmarrë të gjitha masat anti-COVID, ku çdo klasë do të jetë e pajisur me dezinfektues dhe nxënësit do të hyjnë në qendra të testimit vetëm me maska.

“Janë diku 155 qendra të testimit me rreth 2 mijë e 200 klasë të ndara meqë këtë vit të gjitha komunat numrin e nxënësve në klasë nuk e kanë mbi 15, vetëm në raste të rralla ku ka qenë ndonjë sallë më e madhe, mirëpo nëse ka qenë klasa 30 nxënës është ndarë në dysh dhe administrohet nga dy administrues. Çdo shkollë është e pajisur me dezinfektues, nxënësit janë te sugjeruar që të bartin maska, njësoj edhe administratorët dhe komisionerët janë të detyruar t’i kenë maskat me vete në ditën e testimit. Do të thotë duhet të respektohen të gjitha masat kundër pandemisë”, thotë ai.

Përjashtimi nga testimi është ndëshkimi për nxënësit që do të kapen duke përdorur telefonin brenda qendrës së testimit. Elezi thotë se do të jenë të pa kompromis ndaj atyre që thyejnë rregullat e testit.

“Çdo klasë i ka diku rreth 15 nxënës, kështu që përgjegjësinë për ata nxënës e ka administratori që është në klasë dhe ai duhet të merr masa ndaj nxënësve që nuk i respektojnë rregullat. Mirëpo, janë edhe kryetarët e komisioneve dhe mbikëqyrësit që nëse një administrator i thyen rregullat normal që duhet të ndërmerren masa ndaj administratorit të testit. Shpresojmë që nuk do të lejojnë fotografimin e testit dhe bartjen e tyre në rrjete sociale, po prapë është administratori në klasë ai i cili duhet t’i mbikëqyrë ata nxënës dhe t’ua ndalojë përdorimin e telefonave gjatë testit. Ndëshkimi për nxënësit është përjashtimi nga testi, nëse nxënësi e ka me vete telefonin edhe nëse nuk e përdor është rregull që ditën e testit nuk duhet ta marrin telefonin me vete. Nëse e ka brenda në klasë telefonin atëherë ai përjashtohet nga testi”, thotë Elezi.

Përkundër ndikimit të pandemisë në procesin mësimor, Elezi thotë se presin rezultate reale nga ky testim.

“Nuk e kemi një krahasim mes viteve, mund të jetë rezultati më i lartë sesa viteve të kaluara, por këtë vit thash testin e kemi përshtatur për situatën e pandemisë. Do të thotë edhe nëse është rezultati më i ulët sigurisht që ka ndikuar edhe pandemia, por nuk do të thotë shumë ngase nuk kemi krahasime mes viteve, nuk e kemi një test që e matim trendin prej viti në vit”, potencoi Elezi.

Testi i arritshmërisë ka qenë i paraparë të mbahet me 21 maj, por që shtyrja e mbarimit të vitit shkollor ka bërë që të shtyhet edhe mbajtja e këtij testi.

Continue Reading

Lajme

Gjakova shënon nesër ditën e çlirimit

Published

on

Gjakova kremton nesër 22-vjetorin e çlirimit.

Gjakova do të shënojë nesër 14 Qershorin – Ditën e Çlirimit, ku do të kujtohen dhe nderohen dëshmorët e kësaj komune, të cilët luftuan, sakrifikuan dhe flijuan jetën për liri.

Aktivitetet e shumta me rastin e kësaj dite do të fillojnë me homazhe te lapidari “Shokët e lirisë”, në sheshin “Agron Rama”, varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Meje dhe varrezat e martirëve në Çabrat, për të vazhduar me ndarjen e medaljeve për familjet e dëshmorëve të Komunës së Gjakovës.

Një program muzikor për fëmijë do të mbahet në Parkun e madh të qytetit, për të vazhduar me shfaqjen e mozaikut “Djemtë e Asfaltit”, punuar nga Alkent Pozhegu në Pallatin e Sporteve “Shani Nushi”.

Aktivitetet me rastin e 22-vjetorit të çlirimit, do të përfundojnë në mbrëmje me hapjen e ekspozitës kolektive Galeria e Arteve në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” dhe një koncert festiv në Parkun e madh të qytetit.

Continue Reading

Lajme

Zgjedhjet për kryetar të PD-së, Basha merr 80% të votave

Published

on

PD shpall rezultatin paraprak, Basha merr mbi 80% të votave

Kryetari i Komisionit të Administrimit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana ka bërë të ditur se rezultati zyrtar për kryetar partie pritet të publikohet nesër, ndërsa ai paraprak flet për një fitore bindëse të Lulzim Bashës.

Kryetari aktual i PD, sipas rezultatit paraprak të publikuar nga PD, ka marrë mbi 80% të votave. Kandidati i dytë më i votuar është Agron Shehaj me 15.55%, ndërsa Edit Harxhi ka marrë 2.45% dhe Fatbardh Kadilli 2% të votave, sipas Euroneës Albania.

Këto janë zgjedhjet e treta brenda PD-së që Lulzim Basha fiton. Në garën e parë për të marrë drejtimin e PD, ai fitoi në vitin 2013 përballë Sokol Olldashit, ndërsa në vitin 2017 pas humbjes në zgjedhjet parlamentare fitoi sërish garën për të qenë kryetar partie përballë Eduart Selamit.

Lulzim Basha e ka drejtuar Partinë Demokratike deri tani në tri procese zgjedhore kombëtare pa llogaritur zgjedhjet lokale 2019, që opozita i bojkotoi, zgjedhjet lokale 2015, zgjedhjet parlamentare 2017 dhe zgjedhjet e fundit parlamentare më 25 prill 2021.

Sprova e tij më e afërt do të jenë zgjedhjet lokale që parashikohet të zhvillohen në 2023. Por, në rast se Gjykata Kushtetuese nuk e shpall të vlefshëm procesin e mbajtur në vitin 2019, atëherë mund të kemi një datë më të afërt për përsëritjen e zgjedhjeve lokale që u mbajtën pa opozitën.

Continue Reading

Lajme

Osmani për Al Jazeera: Përpjekjet e UÇK’së ishin ta çlironin Kosovën nga regjimi gjenocidal

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë intervistë për mediumin Al Jazeera.

Derisa ka folur për ish-krerët e UÇK’së që po gjykohen në Hagë për krime lufte, Osmani ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës të gjitha përpjekjet i ka pasur të, siç shprehet ajo, çlirojnë Kosovën nga regjimi gjenocidal.

“Në të njëjtën kohë, duhet të theksoj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri që doli nga njerëzit dhe luftoi për çlirimin. Në këtë kuptim, unë do t’i vija theksin fjalës çlirim, sepse të gjitha përpjekjet e saj ishin për të çliruar Kosovën nga regjimi gjenocid”, deklaroi presidentja Osmani.

Tutje, ajo thotë se përkundër dallimeve politike që ka pasur me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe disa nga ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK’së, të gjithëve duhet t’u çmohet kontributi për liri e pavarësi.

“Padyshim që kemi pasur dallime politike në të kaluarën me z. Thaçi dhe disa nga udhëheqësit e tjerë. Sidoqoftë, ka një gjë për të cilën jemi dakorduar të gjithë, të gjithë bashkërisht kemi kontribuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe ky është një kontribut që duhet të vihet në pah. Në të njëjtën kohë, ishte Kuvendi i Kosovës me vullnetin e tyre që ka themeluar Dhomat e Specializuara, të cilat duhet të punojnë me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës, në atë kuptim. Çdokush nga ne duhet të kuptojë kontributin që këta udhëheqës i kanë dhënë drejtësisë ndërkombëtare duke punuar vullnetarisht me Dhomat e Specializuara”, ka deklaruar ajo.

E para e vendit, tutje ka folur edhe për ‘non-papers’, të cilat i ka quajtur jo-relevante, derisa ka thënë se ato do lihen jashtë tryezës së diskutimit për dialogun Kosovë-Serbi në nivel të lartë politik.

“Për më tepër, unë do të doja të theksoja se këto letra nuk janë fare të rëndësishme. Ne duhet të kemi vetëbesim, sepse e dimë që kjo është një ide e rrezikshme, nuk kemi nevojë për një ‘non-paper’ për të na treguar se çfarë të bëjmë. Ne dimë çfarë të bëjmë dhe dimë çfarë të shmangim, dhe një nga aventurat e rrezikshme që do të shmangim me çdo kusht është ajo që lidhet me ndryshimet e kufijve”, ka thënë ndër të tjera Osmani.

Continue Reading

Trending

Copyright © 2020 toplajmet.ch