Connect with us

Lajme

Policia në Gjilan i bënë ”llom’ katër të rinj

Published

on

policia-ne-gjilan-i-bene-”llom’-kater-te-rinj

“Na kanë rrahur deri në alivanosje”

Katër të rinj nga Gjilani po pretendojnë se janë sulmuar nga gjashtë zyrtarë policorë mbrëmjen e së shtunës në lokalin “Mono” që gjendet në lagjen “Gavrani” në Gjilan.

Altin Isufi, vëllai i tij, Arbër Isufi dhe dy djemtë e hallës së tij, Arian Kadriu dhe Asdren Emini kanë denoncuar në Inspektoratin Policor gjashtë policë, të cilët, sipas deklaratës së tyre, kanë ushtruar dhunë brutale ndaj tyre, pa ndonjë arsye.

Altini thotë se së bashku me tre familjarët e tij kanë hyrë në lokalin “Mono” rreth orës 21:40 dhe pasi kanë marrë nga një pije te banaku, janë ulur në një tavolinë të lirë brenda lokalit.

Përball tyre, ai thotë se kanë qenë të ulur disa policë, gjashtë prej të cilëve i njohin me emër dhe mbiemër. Altini thotë se këta policë pas disa minutave kanë shkuar te tavolina e tyre dhe pasi që i kanë fikur dritat, kanë filluar t’i godasin deri në alivanosje.

“Disa policë njërin prej tyre që e njoh, L.T, ka qenë duke pirë alkool përball neve, sepse e njoh është i të njëjtit vend nga jom unë. Ai ka qenë aty duke pi me disa shokë. Qysh kem t’u bo muhabet t’u kesh ndërmjet veti ka ora 22:00, një person është ulur afër meje në tavolinën tonë. Më tha ‘Po ulna pa të pyet’, i thash ‘okay, ulu’.”

“Pastaj i pashë që na rrethun në tavolinën tonë disa persona, na kanë fikur dritat dhe kanë filluar të na godasin pa kontroll, deri në alivanosje”.
Altin Isufi thotë për Sinjalin se është alivanosur për shkak të goditjeve, të cilat pretendon se i ka marrë nga zyrtarët policorë.

Ai thotë se kur është këndellur e ka parë veten jashtë lokalit, duke u mbajtur nga dy persona, derisa thotë se zyrtarët policorë në fjalë kanë ikur nga lokali.

Altini thotë se rastin në polici e ka paraqitu djali i hallës së tij, Arian Kadriu.

Pasi që policia i ka parë të rinj të gjakosur, ai thotë se i kanë dërguar në Emergjencë, ku kanë marrë tretman mjekësor.

Më pas, të rinjtë janë dërguar në stacion policor, ku Altini thotë se kanë qëndruar për gjashtë orë, pa dhënë deklaratë.

Gjatë kohës sa janë mbajtur në stacion, Altini thotë se nuk kanë pasur kontakt me njëri-tjetrin.

“Na kanë qitë jashtë dhe njëri prej viktimave pastaj, Arian Kadriu, e lajmëroi policinë dhe erdhën në vendin e ngjarjes. Kurse ata që na kanë sulmuar u larguan nga vendi i ngjarjes menjëherë. Pastaj e thirren emergjencën policia, sepse na panë gjendjen që na kanë sjellë. Shkuam në Emergjencë ku na dërguan aty për trajtim. Kem marrë trajtim, pastaj na kanë dërguar në stacion policor.“
I riu thotë se policët, të cilët i akuzon për sulm fizik, kanë qenë në gjendje të dehur, jashtë orarit të punës dhe pa uniforma zyrtare, kur ka ndodhur rasti.

“Policia e ka raportuar kinse vetëm një person është i përfshirë, por në fakt kem qenë 4 persona të sulmuar nga policë jashtë detyrës, pa uniformë, në gjendje të dehur. Na kanë mbajtur në stacion 6 orë, pa na marrë deklaratën.”

Madje, Altini thotë se sa kanë qenë ende në stacion policor, një polic u ka thënë që ta mbyllin këtë rast, në të kundërtën, të katërt do të përfundojnë në burg.

“Unë i kam thënë prokurores në stacion dhe policëve – ‘shkoni merrni incizimet e kamerave edhe shihet e vërteta’. Policia ka dashur ta fsheh rastin. Njëri prej tyre (policëve) na tha kshtu – ‘Shukatne punën ose muni me shku edhe ju në burg’.“

Ai thotë se menaxhmenti i lokalit po gënjen për punën e kamerave të sigurisë, duke thënë se ato kanë qenë jashtë funksionit që kohë më parë.

Gazeta Sinjali ka provuar që të marrë një përgjigje nga lokali “Mono” sa i përket këtij rasti dhe çështjes së kamerave të sigurisë, por personi që është përgjigjur në telefon ka refuzuar të përgjigjet, duke thënë se për këtë rast mund të flasin vetëm nga policia.
“Personat, sulmuesit e përfshirë janë policë të Njësisë Speciale, edhe pse ishin jashtë detyrës në gjendje të dehur. Ka edhe të tjerë, por këta janë që i njohum: F. K., L. T., A. R., B. G., A. K., djali i prokurorit V. M. dhe disa të tjerë që nuk i njohim.”

“Policia ka manipuluar me rastin, e ka përfshirë vetëm një person, por në fakt jemi 4 persona të rrahur. Rasti ka ndodhur të shtunën më 22 maj, rreth orës 22:00”, tha ai.

Lidhur me këtë rast Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Inspektoratit Policor të Kosovës, nga ku e kanë konfirmuar nisjen e hetimeve.

“Ju njoftojmë se Departamenti për menaxhimin e ankesave në IPK ka pranuar ankesë nga një qytetar në lidhje me këtë rast dhe rasti është në fazën e hetimit preliminar”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor.

Continue Reading

Lajme

Ministrja Gërvalla e uron Izraelin për kryeministrin e ri

Published

on

Ministrja Gërvalla e uron Izraelin për kryeministrin e ri.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schëarz, ka uruar Izraelin për zgjedhjen e një qeverie të re, në të njëjtën ditë kur opozita izraelite nëpërmjet mocionit të mos besimit e la jashtë koalicionit udhëheqësin 12-vjeçar të vendit, Benjamin Netanyah.

Kryediplomatja kosovare, përmes llogarisë së saj në ‘Tëitter’, ka shpresuar në thellim të bashkëpunimeve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, derisa e ka falënderuar veçanërisht iniciuesin e mocionit të mos-besimit, Yair Lapid.

“Urime qeveria e re Izraelit dhe mikut tim të ri, Yair Lapid. Po shpresojmë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Paçi fat!”, thuhet në urimin e zëvendëskryeministres.

Përgjatë ditës së diel, udhëheqësi i opozitës Lapid fitoi mocionin e mosbesimit në Knesset, parlamenti i Izraelit, me 60-59 ulëse, duke e rrëzuar nga pushteti liderin më jetëgjatë në Izrael.

Lapid nuk do të bëhet fillimisht kryeministër. Në vend të tij, sipas një marrëveshje për ndarjen e pushtetit, ish armiku i tij dhe avokati i ekstremit të djathtë, Naftali Bennett, do të kurorëzohet si udhëheqësi i ekzekutivit.

Bennett, i cili ka përjashtuar konceptin e shtetit të Palestinës dhe dëshiron që Izraeli të mbajë në kontroll të gjitha tokat, do të jetë kryeministër për dy vitet e para të një mandati katër-vjeçar përpara se t’i dorëzohet Lapid.

Continue Reading

Lajme

Agim Veliu e quan të pavlerë vendimin për shkarkimin e tij, thotë se Abdixhiku po luan “lojë të ndyrë”

Published

on

Agim Veliu e quan të pavlerë vendimin për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë.

Agim Veliu ka reaguar pasi i është dorëzuar letra e shkarkimit nga detyra e kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai thotë se një vendim i tillë është i pavlerë dhe joligjor teksa ka hedhur edhe akuza ndaj Kryesisë së LDK-së dhe vetë Abdixhikut.

Ai thotë se fillimisht vendimin për shkarkim e ka marrë vesh nga mediat, ndërsa thotë se sot edhe zyrtarisht i është dorëzuar letra nga kryetari Abdixhiku.

“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Podujevë. Ashtu siç është informuar tashmë edhe opinioni i gjerë, Kryesia Qendrore e LDK-së më 09.06.2021 ka marrë një vendim, sa skandaloz dhe në kundërshtim me Statutin e partisë, po aq edhe të pamoralshëm, duke caktuar në mënyrë arbitrare kandidatin në garën për Kryetar të Komunës së Podujevës në zgjedhjet lokale dhe në të njëjtën kohë të njëjtit ia delegon të gjitha kompetencat të udhëheqë me Degën e LDK-së në Podujevë. Për vendimin arbitrar dhe të paligjshëm të Kryesisë dhe të Kryetarit Abdixhiku, fillimisht isha informuar përmes mediave. Ndërsa, sot (e diel) më është përcjell vendimi skandaloz i nënshkruar nga kryetari i partisë, i cili nuk shquhet vetëm për shkelje të Statutit të partisë, por edhe për gabime drejtshkrimore, mbase nga ngutia për ta “përligjur” sa më shpejt shkarkimin Kryetarit të Degës në Podujevë”, shkruan Veliu në një status në Facebook.

Veliu këtë e quan “masakaradë” dhe thotë se Abdixhiku po luan “lojë të ndyrë” teksa thotë se vendimi nuk është në përputhje me statutin e LDK-së.

“Tërë kjo maskaradë e Kryetarit Abdixhiku dhe përkrahësve të tij në Kryesi nuk është asgjë tjetër veçse një lojë e ndyrë dhe përpjekje për ta kamufluar vendimin në emër të kinse riorganizimit të brendshëm (lexo: spastrimit të brendshëm), të prezantuar në “Platformën e Kryetarit të LDK-së 2021-2023”. Sado që dikush nga Kryesia u përpoq ta mohojë se ky vendim i paligjshëm e shkarkon Kryetarin e Degës, vetë teksti i vendimit i demanton diletantët e tillë politikë, të ulur në tavolinën e Kryesisë së LDK-së. “Të gjitha kompetencat e udhëheqjes së degës së LDK-së në Podujevë, i kalojnë kandidatit të LDK-së. Kandidati udhëheqë me Kryesinë e degës, zyrën e degës dhe bashkërendon aktivitetet me kryetarët e nëndegëve në Komunën e Podujevës”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Abdixhiku. Madje, me këtë vendim skandaloz mëtohet t’i merren kompetencat, jo vetëm Kryetarit, por edhe Kryesisë së Degës, e cila defaktorizohet plotësisht sipas nenit 4 të këtij vendimi, lidhur me formësimin e listës për asamble komunale”, shton Veliu.

Veliu thotë se do të mblidhet me Kryesinë e degës së LDK-së në Podujevë dhe do të analizojë situatën e krijuar.

“Një vendim i tillë jo legjitim, i atyre që e votuan dhe atij që e nënshkroi, nuk mund të quhet ndryshe, përveçse një atak i rëndë ndaj degës më të suksesshme në të gjitha proceset zgjedhore të pasluftës në Kosovë. As Kryesia e LDK-së dhe as kryetari i saj nuk mund të shkarkojnë as emërojnë një kryetar dege, të zgjedhur në procese të rregullta zgjedhore nga Kuvendi i Degës. Prandaj, për Degën e LDK-së në Podujevë dhe mua si kryetar i saj vendimi i 9 qershorit i Kryesisë Qendrore është jo ligjor dhe i pavlerë. Kryesia e Degës së LDK-së do të mblidhet gjatë ditëve në vijim, do ta analizojë me kujdes situatën e krijuar”, përfundon në reagimin e tij Veliu.

Continue Reading

Lajme

Gjakova shënon nesër ditën e çlirimit

Published

on

Gjakova kremton nesër 22-vjetorin e çlirimit.

Gjakova do të shënojë nesër 14 Qershorin – Ditën e Çlirimit, ku do të kujtohen dhe nderohen dëshmorët e kësaj komune, të cilët luftuan, sakrifikuan dhe flijuan jetën për liri.

Aktivitetet e shumta me rastin e kësaj dite do të fillojnë me homazhe te lapidari “Shokët e lirisë”, në sheshin “Agron Rama”, varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Meje dhe varrezat e martirëve në Çabrat, për të vazhduar me ndarjen e medaljeve për familjet e dëshmorëve të Komunës së Gjakovës.

Një program muzikor për fëmijë do të mbahet në Parkun e madh të qytetit, për të vazhduar me shfaqjen e mozaikut “Djemtë e Asfaltit”, punuar nga Alkent Pozhegu në Pallatin e Sporteve “Shani Nushi”.

Aktivitetet me rastin e 22-vjetorit të çlirimit, do të përfundojnë në mbrëmje me hapjen e ekspozitës kolektive Galeria e Arteve në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” dhe një koncert festiv në Parkun e madh të qytetit.

Continue Reading

Trending

Copyright © 2020 toplajmet.ch