Connect with us

Jetë

8 ushqime që duhet t’i konsumoni patjetër këtë verë për të marrë gjithë hidratimin që ju duhet

Published

on

8-ushqime-qe-duhet-t’i-konsumoni-patjeter-kete-vere-per-te-marre-gjithe-hidratimin-qe-ju-duhet

Në ditët e nxehta, asgjë nuk është më freskuese se një gotë uji me akull apo një zhytje në det. Sidoqoftë, gjatë kësaj kohe mund të zbulojmë se po “hamë” më pak H20 sesa është e nevojshme për ta mbajtur veten të furnizuar me energji. Kjo është shumë e rëndësishme, duke qenë se gjatë verës dehidratimi bëhet edhe më i lehtë dhe diçka e tillë nuk i duhet askujt.

“Me temperaturat e nxehta, shumë individë janë më të prirur për djersitje, gjë që bën që trupi të humbasë ujë”, thotë eksperti i ushqimit Keri Gans. “Kur djersitni më shumë, jo vetëm që po humbni ujë, por edhe elektrolite. Pa lëngje dhe elektrolite të mjaftueshme për t’u hidratuar siç duhet, trupi juaj mund të fillojë të mbinxehet. Rimbushja e atyre elektroliteve, si natriumi dhe kaliumi, është thelbësore për t’u ri-hidratuar.”

Uji përfshihet në shumë funksione të rëndësishme të trupin tonë. Ai e ndihmon atë të funksionojë si duhet dhe ndihmon në pastrimin e “mbeturinave”, mirëmbajtjen e funksionit të duhur të trurit në mënyrë që të qëndroni të përqendruar dhe vigjilent dhe në rregulimin e temperaturës së trupit. Për më tepër, hidratimi ndihmon në parandalimin e infeksioneve, shpërndarjen e lëndëve ushqyese në qeliza etj.

Këtë verë, por edhe çdo stinë, krahas ujit, konsumoni edhe sa më shumë ushqime hidratuese! 8 prej tyre zbulojini tani:

Shalqiri: Përbëhet nga 92% ujë dhe përmban edhe vitamina C, A dhe magnez.

Kastraveci: Përmban rreth 96% ujë dhe u jep shumë shije pjatave tuaja!

Sallata jeshile: Një sallatë e përzier me produkte të freskëta nuk është vetëm një vakt i shijshëm, por edhe një mundësi e mirë për hidratim. Në thelb, sallata jeshile është thjesht “ujë jeshil”.

Domatet: Nëse jeni duke bërë një sallatë, gjithashtu mund të hidhni disa domate. Ato përmbajnë shumë ujë, por edhe kalium – i rëndësishëm nëse humbni shumë nga ky mineral duke u djersitur.

Luleshtrydhet: Luleshtrydhet kanë 91% ujë. Fruti i mbushur me fibra përmban gjithashtu shumë vitamina, minerale dhe antioksidantë.
Pjeshkat: Pjeshkat përbëhen nga rreth 90% ujë. Ju mund t’i prisni në copëza dhe t’i përzieni me kos, duke bërë një kos të shijshëm frutash (shtoni sa fruta të doni).

Pjepri: Pjeprin mund ta përdorni kudo në sallata, si vakt i vogël pasditeje (snack), në plazh, në drekë apo në mbrëmje. Përbëhen nga 90% ujë dhe janë të mbushura me vitaminë A.

Portokalli: Përveç vitaminës C, portokallet përmbajnë 86% ujë, pra ndonëse është opsion më pak hidratues, mbetet i shijshëm për t’u konsumuar, kështu që pse jo?

Continue Reading

Jetë

Biskotat e thjeshta pa miell – Të lehta dhe të shpejta, por plot me shije!

Published

on

Biskotat jemi mësuar t’i përgatisni me miell, gjalpë dhe vezë, por AgroWeb.org ju tregon një mënyrë shumë të thjeshtë për përgatitjen e tyre.

Receta e sotme nuk ka nevojë as për miell e as për gjalpë.

Gjithçka që do t’ju duhet është sheqeri, të bardha veze dhe kakao dhe do të krijoni disa ëmbëlsira me shije dhe aromë delikate.

Ndiqni me kujdes hapat e përgatitjes të shpjeguara në recetë dhe provojini që sot këto biskota speciale pa miell.

Përbërësit

250g sheqer pluhur

50g kakao e hidhur

Pak kripë

2 të bardha vezësh

100g çokollatë të grirë

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë duhet të filloni me sitjen e sheqerit pluhur dhe kakaos.

Sitja e këtyre dy përbërësve krijon mundësinë që brumi i biskotave të ketë ajër gjithashtu dhe që sheqeri me kakaon të shkrihen plotësisht.

Kalojini përbërësit në një tas të madh, ndërkohë që grini çokollatës.

Përdorni çokollatën e zezë e cila përdoret për gatim, pasi çokollatat e tjera kanë sheqer të shtuar.

Kur të keni përfunduar edhe me çokollatën është koha që të rrihni të bardhat e vezëve.

Në një tas të pastër dhe të thatë hidhni vezët dhe shtoni pak kripë.

Punojini vezët me rrahësin elektrik derisa të formoni merengen e plotë.

Shtoni dalë nga dalë përzierjen me sheqer dhe kakao.

Nëse do të përdornit sheqer kokërr punimi i të bardhave të vezëve do të ishte më i gjatë, pasi sheqeri duhet të tretet plotësisht.

Kur sheqeri mbetet i patretur kur të piqni biskotat ai do të digjet duke hidhëruar shijen e ëmbëlsirave.

Pasi të keni përzierë sheqerin dhe kakaon tek merengia shtoni aty copat e çokollatës së grirë.

Merrni një tavë dhe lyejeni shumë lehtë me pak vaj dhe mbi të shtroni një letër pjekjeje.

Me ndihmën e lugëve hidhni pak nga masa që përgatitët duke u munduar që t’i jepni pakëz formë.

Futini në furrë të ngrohur me 200 gradë dhe piqini për 12-14 minuta.

Mund t’i provoni nëse janë bërë duke i shpuar edhe me njq kunjë dhëmbësh.

Pasi t’i hiqni nga furra lërini pak të ftohen dhe mund t’i shërbeni plot shije. /Lajmi.net/

Continue Reading

Jetë

Fërgesa me bizele dhe vezë – Dreka perfekte për mes-javën

Published

on

Në stinën e verës ushqimet bëhen më të lehta dhe të shpejta për t’u përgatitur.

Duke qenë se temperaturat e larta të heqin dëshirën për të ndenjur mbi sobë me orë të tëra, të gjithë kërkojmë receta sa më të thjeshta.

E tillë është edhe fërgesa me bizele që ju sugjeron AgroWeb.org sot.

Mjaftojnë vetëm 20 minuta dhe ju do të keni përgatitur drekën e shijshme dhe plot vlera për të dashurit tuaj.

Përbërësit

5 vezë

250ml salcë domateje

150g bizele

Kripë

Rigon

Vaj ulliri

1 hudhër

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, në një tigan të hidhni pak vaj ulliri dhe hudhrën e shtypur.

Pasi hudhra të jetë skuqur lehtë shtoni salcën e domates, të cilën mund ta keni përgatitur edhe vetë.

Ajo që duhet të siguroheni është që të përdorni salcën në formën e pastës, pra të njëtrajtshme, jo atë me copa domatesh.

Mos u shqetësoni nëse keni shumë lëng domateje pasi do të duhet për përgatitjen e bizeleve.

Hidhni salcës erëzat tuaja të preferuara për t’i dhënë shije gjithashtu edhe kripë.

Tani është momenti që të shtoni bizelet e qëruara. Për këtë recetë mund të përdorni si bizelet e frigoriferit por edhe ato të freskëta.

Pasi të keni shtuar bizelet, mbulojeni tiganin me një kapak dhe lërini bizelet të ziejnë me lëngun e domateve për 15 minuta.

Më pas provoni një nga bizelet dhe shikoni nëse është gatuar, nëse e shikoni që ka mbetur pak e fortë mund të shtoni pak ujë.

Me një lugë krijoni disa gropëza mes bizeleve dhe aty thyeni vezët.

Spërkatini në sipërfaqe me pak kripë dhe rigon për t’u dhënë shije.

Mbulojeni përsëri tiganin me kapak dhe lërini vezët të piqen për 3-5 minuta në varësi të preferencës suaj.

Nëse i preferoni vezët e ujshme 3 minuta mjaftojnë, nëse i dëshironi më shumë të pjekura duhet t’i lini pak më gjatë.

Pasi të keni përfunduar me përgatitjen e tyre, lërini pak të mpikset më mirë fërgesa dhe shërbejeni.

Mund ta shoqëroni me sallatë, tarator të freskët apo me gjizë me hudhra dhe vaj ulliri./Lajmi.net/

Continue Reading

Jetë

Mënyra më e mirë për përgatitjen e mishit të kecit – Këshilla kuzhine

Published

on

Mishi i kecit përmban nivele të ulëta yndyre dhe kolesteroli. Ai është i pasur me hekur dhe proteinë duke u bërë kështu një zgjedhje e shkëlqyer për ata që konsiderohen si dashamirës të mishit.

Ky mish nuk ka dhjamë dhe është zgjedhja më e shëndetshme në krahasim me pulën, viçin dhe qengjin.

Një sasi prej 100 gramë mish keci ofron  124 kalori, 2.6 gramë yndyrë, 0.8 nga të cilat e ngopur, 25 gramë proteinë dhe 64 mg kolesterol.

Proteina është e rëndësishme sepse ju mban të ngopur gjatë dhe përbën një sistem mbështetës për riparimin e qelizave.

Mishi i kecit është shumë i butë, kërkon të piqet ngadalë që të nxjerrë në pah madhështinë e vet, ka një aromë të fortë dhe përbën një nga gatimet më të mira në vendin tonë.

Si ta përgatitni:

Merrni pjesën e kofshës së kecit dhe spërkateni me spec djegës, piper të kuq, hudhër, vaj ulliri, piper të zi dhe lëng limoni.

Fërkojeni mishin mirë që të përthithë erëzat, mbështilleni tepsinë me qese plastike dhe mbajeni në frigorifer (jo në zonën e ngrirjes) gjatë gjithë natës.

Të nesërmen, nxirreni mishin nga frigoriferi të paktën 30 minuta përpara gatimit.

Ndizeni furrën në 150°C dhe mishin fërkojeni me kripë.

Mbusheni gjysmën e tepsisë me ujë dhe mbulojeni atë me letër pjekjeje në shtresë të dyfishtë.

Sigurohuni që ta mbështillni fort dhe më pas futeni në furrë.

Piqeni mishin për rreth 4 orë dhe herë pas here spërkateni pjesën e sipërme të mishit me lëngun e tij.

Kur mishi të jetë gatuar, do të shkëputet lehtë nga kocka.

Lëreni tepsinë në temperaturë ambienti për 20 minuta. Hiqeni mishin me copa dhe servireni me salcë kosi, sallatë e turshi. /Lajmi.net/

Continue Reading

Trending

Copyright © 2020 toplajmet.ch